Pas arrestimeve në MINT, Kurti mbledh kabinetin qeveritar

Kryeministri Albin Kurti, në këto çaste po raportohet se ka mbledhur kabinetin qeveritar pas zhvillimeve të fundit me arrestimet në MINT e në restorantin “Bukë e Zemër”.

Në këtë mbledhje, siç raporton T7, ka mbërritur edhe ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari.

Kjo mbledhje ndodh pas bastisjeve me urdhër të Prokurorisë Speciale në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Gjatë operacionit të sotëm janë arrestuar dy zyrtarë të ministrisë dhe afaristi Ridvan Muharremi, i cili, sipas mediave, është raportuar të jetë i afërt me Kryeministrin Kurti.

Kurti është pyetur nga gazetarët për zhvillimet e sotme, por ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se për këtë deklarohet gjatë ditës.

Presidentja ka thënë se duhet pritur epilogu i këtij rasti për t’u prononcuar.

MINT ka dalë me një komunikatë, ku thotë se mirëpret hetimet e Prokurorisë Speciale dhe se janë të bindur se furnizimi me rezerva shtetërore është bërë sipas ligjit. Edhe më tutje, MINT akuzon mediat që raportuam për dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, se kanë bërë “përpjekje për keqinformim”.

Read Previous

Dorëheqjet e policëve serbë, Sveçla: Ndërkombëtarët të reagojnë ashpër ndaj sjelljes së Serbisë

Read Next

Memli Krasniqi: Zgjedhje të reja sa më parë