Memli Krasniqi: Zgjedhje të reja sa më parë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, ku janë arrestuar zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni, Ridvan Muharremi, i cili dyshohet se është i përfshirë në keqpërdorimet me rezerva shtetërore.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se keqqeverisja e karakterizuar me skandale, afera e korrupsion duhet të marrë fund.

Sipas tij, zgjedhjet e reja duhet të mbahen sa më parë.

“Keqqeverisja, e karakterizuar me skandale, afera, korrupsion, narkotrafikim e sanksione ndërkombëtare, duhet të marrë fund. Nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, shpejt, dëmet e këtij mentaliteti shkatërrues do t’i vuajnë për dekada qytetarët dhe shteti ynë. ZGJEDHJE TË REJA SA MË PARË!”, shkroi ai.

Muharremi dhe dy zyrtarët e MINT-it, Lipovica dhe Gara, u arrestuan nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Pas arrestimeve në MINT, Kurti mbledh kabinetin qeveritar

Read Next

BE kërkon informacion shtesë për revokimin e licencës për MTS-në