Parlamenti Evropian do të miratojë më 8 korrik në seancën plenare projekt-rezolutën për Shqipërinë.
Përmes saj u bëhet thirrje institucioneve të përshpejtojnë reformat, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës.
Raporti për situatën në Shqipëri u miratua pak ditë më parë së bashku me amendamentet në Komisionin e Jashtëm.
Parlamenti Evropian, në tekstin përfundimtar, mirëpret forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dhe vë në dukje polarizimin e vazhdueshëm politik, i karakterizuar nga retorika konfrontuese, duke bërë thirrje për një dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri.
Ndërkohë, zgjedhjet parlamentare të majit 2025 cilësohen si konkurruese, por zhvillohen në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e burimeve administrative.
Po ashtu partive politike shqiptare u bëhet thirrje që të angazhohen për një reformë të re zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Më herët, eurodeputetët kanë vlerësuar reformat sidomos në drejtësi dhe punën e Prokurorisë së Posaçme SPAK në ndëshkimin e korrupsionit politik.
“Ne e përkrahim Shqipërinë si shtet pararojë në procesin e integrimit duke nënvizuar se zbatimi i reformave në praktikë ka vlerë më thelbësore sesa thjesht ndryshimi i ligjeve. Në mënyrë të veçantë në luftën ndaj korrupsionit ata kanë bërë shumë hapa përpara dhe në këtë fushë ata janë vërtetë shtet pararojë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë raportuesi Andreas Schieder.
“Ne vlerësojmë rolin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK) në ndërtimin e një historie të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”.
Kovatchev ka thënë se planifikoj “që të paraqes një amendament për të vlerësuar punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta politike. Në veçanti ne po vëzhgojmë nga afër rastin e kryebashkiakut të Tiranës”.
Shefja e departamentit për Shqipërinë në KE, Sigrid Brettel, ka thënë se “Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit të plotë në BE me një shpejtësi të paparë”.
“Dy grupkapituj janë hapur tashmë, ndërkohë që ne do të hapim së shpejti edhe dy grupkapituj të tjerë. Ne besojmë se të gjithë grupkapitujt do të mund të hapen para përfundimit të sezonit veror. Zgjedhjet parlamentare po afrojnë duke përfshirë për herë të parë votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Ashtu siç theksoi Komisionerja Kos në Tiranë është me rëndësi që të vijojë dialogu ndërpartiak dhe gjithëpërfshirës për reformat e integrimit. SPAK po luan një rol kyç dhe të rëndësishëm në arritjet pjesë e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian ka vlerësuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për pranimin në BE përmes një raporti të miratuar të mërkurën e 4 qershorit.
Eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik të Shqipërisë dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësim në BE, së bashku me përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Raporti u miratua nga Komiteti i Punëve të Jashtme me 57 vota pro dhe 11 kundër, me 6 abstenime.
“Ndërsa mirëpresin qëllimin e Shqipërisë për të përfunduar bisedimet e pranimit deri në vitin 2027 dhe progresin e bërë tashmë, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat”, vijon deklarata zyrtare.
Sipas tyre, prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë gjyqësore, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Ata sqarojnë se rritja e pluralizmit dhe transparencës së medias mbetet thelbësore për të ndërtuar besimin publik.
Raporti vëren polarizimin e vazhdueshëm politik të shënuar nga retorika konfrontuese dhe bën thirrje për dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.
Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, “veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlin-in”, që kërcënon institucionet demokratike të Shqipërisë dhe ambiciet e anëtarësimit në BE.
Ndër të tjera, ata mirëpresin Programin e ri të Reformës dhe Rritjes prej 922 milionë eurosh të dedikuar për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbështesë Agjendën e Reformave të Shqipërisë sapo të përmbushen kushtet.
Hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë shihet si një hap jetësor për të forcuar lidhjet midis BE-së, institucioneve lokale dhe partnerëve të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, shtoi raporti i eurodeputetëve.
Raporti i konsideron zgjedhjet parlamentare të 11 majit si konkurruese, por të zhvilluara “në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime mbi përdorimin e burimeve administrative”.
Eurodeputetët u bëjnë thirrje po ashtu partive politike shqiptare të angazhohen për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
“Progresi i bërë me reformat gjyqësore dhe hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë janë të mirëpritura, megjithëse ndërhyrja politike mbetet një sfidë. Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur pavarësinë gjyqësore dhe për të rritur llogaridhënien”, ravijëzoi në përmbyllje raporti.
Raporti pritet të paraqitet për votim në një seancë plenare të ardhshme të Parlamentit Evropian. /Albanianpost.com