Parisi do të “blindohet” për ndeshjen Francë-Izrael

Policia franceze deklaroi të dielën se 4 mijë oficerë dhe 1 mijë e 600 persona nga personeli i stadiumit do të angazhohen për ndeshjen e futbollit Francë-Izrael.

Këto, për të garantuar sigurinë brenda dhe përreth stadiumit si dhe në transportin publik të Parisit.

Vendimi i autoriteteve erdhi një javë pas dhunës kundër tifozëve izraelitë në Amsterdam.

Franca dhe Izraeli po luajnë në një ndeshje të Nations League të UEFA-s të enjten ku do të marrë pjesë edhe presidenti francez Emmanuel Macron, theksoi pallati presidencial i Elysee-s.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit paralajmëroi të dielën qytetarët jashtë vendit që të shmangin ngjarjet sportive dhe kulturore, veçanërisht ndeshjen në Paris, dhe të kenë kujdes nga sulmet e dhunshme “nën pretendimin e demonstratave”.

“Ka një kontekst, tensionet që e bëjnë atë ndeshje një ngjarje me rrezik të lartë për ne”, tha shefi i policisë së Parisit Laurent Nuñez për transmetuesin francez BFMTV, duke shtuar se autoritetet “nuk do të tolerojnë” asnjë dhunë.

Nuñez tha se 2 mijë e 500 oficerë policie do të vendosen rreth stadiumit Stade de France, në veri të kryeqytetit francez, përveç 1 mijë e 500 të tjerëve në Paris dhe në transportin publik.

“Do të ketë një perimetër sigurie anti-terroriste rreth stadiumit”, shtoi Nuñez.

Kontrollet e sigurisë do të “përforcohen”, garantoi ai, duke përfshirë kërkimet sistematike (drogë, armë – ed.) dhe kërkimet e çantave.

Nuñez tha se organizatorët francezë kanë qenë në kontakt me autoritetet izraelite dhe forcat e sigurisë në mënyrë që të përgatiten për ndeshjen.

Ministri i Brendshëm francez Bruno Retailleau konfirmoi të premten se ndeshja Francë-Izrael do të zhvillohet siç ishte planifikuar.

“Unë mendoj se për një arsye simbolike nuk duhet të dorëzohemi”, u shpreh ai, duke vënë në dukje se sportdashësit nga e gjithë bota u mblodhën për Olimpiadën e Parisit këtë vit për të festuar “vlerat universale” të sportit.

Pjesëmarrja e pritshme e Macron-it nuk është vetëm një shfaqje mbështetjeje për ekipin francez, por synon gjithashtu të dërgojë “një mesazh vëllazërimi dhe solidariteti pas akteve të patolerueshme antisemitike që pasuan ndeshjen në Amsterdam”, tha një zyrtar në rrethin e Macron-it. /Associated Press/Albanian Post/

Read Previous

OKB: Marrëveshja e burgjeve Kosovë-Danimarkë rrezikon të drejtat e njeriut

Read Next

Murati: S’mund të rregullohet për një mandat diçka që u shkatërrua për 20 vjet