Paralajmërohet “monitorim rigoroz” i rasteve të vetizolimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës do të bëjë monitorim rigoroz të qytetarëve që janë të infektuar me COVID-19, e që janë të vetizoluar. Në një konferencë për media, ai ka thënë se Policia për këtë dhe monitorim të masave të tjera do të kryejë punën edhe me zyrtarë në rroba civile.

Sveçla ka thënë se është angazhuar edhe Inspektorati Policor që të inspektojë zbatimin e masave të Qeverisë nga ana e Policisë si dhe sjelljen e zyrtarëve policorë në raport me masat e Qeverisë.

“Në të njëjtën kohë, Policia do të bëjë kontrollin e personave që tashmë janë në listën e Institutit Kombëtar si të infektuar që të sigurojnë që ata që s’kanë nevojë për trajtim mjekësor të izolohen në shtëpitë e tyre dhe po ashtu ata që kthehen e nënshkruajnë për vetizolim, të sigurohemi që ata i përmbahen këtij obligimi”, ka thënë ai teksa ka shtuar se për angazhimin shtesë të policëve, me orar 12-orësh, do të ketë kompensim.

“Ne e kemi planin operacional të Policisë që të vizitojnë këta persona dhe në momentin që vërehet se nuk i janë përmbajtur kësaj mase, të shqiptohen masa ndëshkuese. Do të ketë policë civilë, jo në uniformë, që të përkujdesen që jo vetëm kjo masë, por të gjitha masat të zbatohen në përpikëri. Ka vendosmëri të jashtëzakonshme qoftë nga Qeveria, qoftë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, nga të gjitha agjencitë që me rigorozitet të zbatohen të gjitha masat”, ka deklaruar tutje Sveçla.

Ai ka bërë të ditur se mbi 74 për qind e policëve tashmë janë të vaksinuar.

Sa i përket gjobave, ai ka njoftuar se nga 1 janari e deri më 30 gusht janë shqiptuar më shumë se 112 mijë gjoba për mosrespektim të masave anti-COVID.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 26 mijë raste aktive me COVID-19./KOHA.

Read Previous

​Kurti kërkon nga komunat të zbatojnë në përpikëri masat antiCOVID-19

Read Next

Haradinaj: Qeveria po tallet me misionet diplomatike të Kosovës