Paqe në kufirin Kinë-Mianmar: Armëpushimi hyn në fuqi

Ministria e Jashtme e Kinës thotë se ushtria e Mianmarit dhe Ushtria Aleate Demokratike Kombëtare e Mianmarit (MNDAA) kanë nënshkruar një marrëveshje formale për armëpushim që nisi të shtunën, duke i ndërprerë luftimet afër kufirit mes këtyre dy shteteve.

Dy palët zhvilluan bisedime në qytetin jugperëndimor kinez, Kunming, ku ato e falënderuan Pekinin për përpjekjen e tij për ta promovuar paqen, tha të hënën gjatë një konference të rregullt për gazetarë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Mianmarit është në interesin e përbashkët të të gjitha palëve në Mianmar dhe për të gjitha shtetet në rajon dhe kontribuon për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e zonave kufitare mes Kinës dhe Mianmarit” – shtoi zëdhënësja kineze.

Kina do të vazhdojë që t’i promovojë në mënyrë aktive paqen dhe dialogun dhe të ofrojë mbështetje dhe asistencë për procesin e paqes në Mianmarin verior” – tha më tej zonja Mao.

Grupi MNDAA është njëri nga grupet e armatosura të pakicës etnike që kanë qenë duke luftuar për ta sprapsur ushtrinë nga ato që këto grupe i cilësojnë si territore të tyre.

MNDAA-ja është pjesë e të ashtuquajturës Aleanca e Tri Vëllazërive, në të cilën bëjnë pjesë edhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare Ta’ang dhe Ushtria e Arakanit, e cila nisi një ofensivë kundër qeverisë ushtarake në fundin e tetorit të vitit 2023, duke marrë nën kontroll pjesë të mëdha territori afër kufirit me Kinën.

MNDAA-ja, që përbëhet nga kinezë etnikë, tha korrikun e kaluar se e kishte marrë kontrollin e një baze të rëndësishme ushtarake afër kufirit kinez. /Nacionale

Read Previous

Shorti i Kupës së Mbretit

Read Next

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale