Papa Françesku ka thënë në një intervistë se Ukraina duhet të ketë atë që ai e quajti guximin e “flamurit të bardhë” dhe të negociojë me Rusinë për përfundimin e luftës.
Papa i bëri komentet e tij në një intervistë të regjistruar muajin e kaluar me transmetuesin zviceran RSI, shumë përpara ofertës së fundit të së premtes nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan për të pritur një samit midis Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës.
Erdogan e bëri ofertën e re pas një takimi në Stamboll me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zelensky ka thënë se teksa dëshiron paqe nuk do të heqë dorë nga asnjë territor.
Plani i paqes i vetë udhëheqësit ukrainas kërkon tërheqjen e trupave ruse nga e gjithë Ukraina dhe rivendosjen e kufijve të saj shtetërorë. Kremlini ka përjashtuar përfshirjen në bisedimet e paqes sipas kushteve të vendosura nga Kievi.
Një zëdhënës i Zelensky nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi komentet e Papës.
Në intervistë, Françeskut iu kërkua qëndrimi i tij për një debat midis atyre që thonë se Ukraina duhet të dorëzohet pasi nuk ka qenë në gjendje të zmbrapsë forcat ruse, dhe atyre që thonë se kjo do të legjitimonte veprimet e palës më të fortë. Intervistuesi përdori termin “flamur i bardhë” në pyetje.
“Është një interpretim, kjo është e vërtetë”, tha Françesku, sipas një video të pjesshme të vënë në dispozicion të Reuters të shtunën. Ai do të transmetohet më 20 mars si pjesë e një programi të ri kulturor, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
“Por unë mendoj se më i forti është ai që shikon situatën, mendon për njerëzit dhe ka guximin e flamurit të bardhë dhe negocion”, tha Françesku, duke shtuar se bisedimet duhet të zhvillohen me ndihmën e fuqive ndërkombëtare.
“Fjala negocio është një fjalë e guximshme. Kur shikon se je i mundur, se gjërat nuk po shkojnë mirë, duhet të kesh guximin për të negociuar”, tha Françesku./klankosova/