Panucci tregon se si e bindi Ardian Ismajlin ta lë Kosovën

Ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci ka marrë meritat për afrimin e mbrojtësit Ardian Ismajli te kuqezinjtë, pasi ka thënë se ishte ai që e ndoqi dhe e bindi ta lë Kombëtaren e Kosovës, ku ishte kapiten i ekipit U-21.

Mbrojtësi shqiptar i Empolit është njëri nga emrat më të përfolur ditëve të fundit, pasi paraqitjet e tij të mira në Serie A kanë bërë që ai të lidhet me një transferim te gjiganti italian, Juventusi.

Marrë shkak nga kjo, ish-trajneri i Shqipërisë, italiani Panucci ka folur për herë të parë se si ishte ai që bindi Ismajlin të zgjidhte kombëtaren kuqezi.

“Kjo është hera e parë që flas për të dhe më gëzon. Si trajner i Shqipërisë, kam udhëtuar nëpër Evropë në 2018-ën duke kërkuar lojtarë të rinj për të thirrur”, ka thënë fillimisht Panucci për Tuttosport.

“Unë personalisht e skautova dhe e pashë në Kroaci, ku Ardiani luante për Hajdukun e Splitit. Ai më fitoi menjëherë. Hyra në aksion dhe fillova të bisedoja me të për ta bindur që të zgjidhte Shqipërinë, duke qenë se tashmë ishte në kombëtaren e Kosovës”.

“Ai e pranoi Shqipërinë për shkakun tim dhe për atë se sa mundohesha ta bindja. Ai ishte njeri i fjalës. Kosova nuk donte ta humbiste, por Ardiani e mbajti premtimin që më dha”.

“Askush nuk e njihte në federatën shqiptare. Kur e thirra për herë të parë, as që e dinin se kush ishte”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/

Read Previous

Kumbaro: 9.7 milionë vizitorë të huaj deri në shtator, gati strategjia e Shqipërisë Turistike 2030

Read Next

Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba vetëm gjatë 24-orëve të fundit