Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar sot lidhur me ngërçin politik në vend, gjersa theksojnë se Kosova është përgjegjësi e të gjithëve dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng.
OVL e UÇK-së përmes një komunikate për media theksojnë se është e papranueshme që, në kohën kur qytetarët përballen me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe të sigurisë, partitë politike, e në veçanti partia fituese, të mbajnë një qëndrim të ngurtë dhe të pandjeshëm ndaj përgjegjësisë kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe formimin e institucioneve legjitime të vendit.
“Në emër të idealit të luftës për liri dhe shtetndërtim, në emër të atyre që dhanë gjithçka për ta parë Kosovën të lirë, sovrane dhe demokratike, OVL, SHIL, SHFD të UÇK-së, Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria ‘Lëvizja’ shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me krizën institucionale që po thellohet si pasojë e një ngërçi politik të panevojshëm.
Është e papranueshme që, në kohën kur qytetarët përballen me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe të sigurisë, partitë politike, e në veçanti partia fituese, të mbajnë një qëndrim të ngurtë dhe të pandjeshëm ndaj përgjegjësisë kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe formimin e institucioneve legjitime të vendit”, thuhet në reagim.
OVL e UÇK-së tutje theksojnë se nuk paragjykojnë asnjë kandidat për pozitat institucionale, por kur interesi shtetëror dhe funksionimi i demokracisë vihet në rrezik për shkak të mungesës së kompromisit dhe kryeneçësisë politike, atëherë ndjejnë për detyrë të ngrenë zërin publikisht.
“U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, dhe në veçanti partisë fituese, që të tregojnë pjekuri politike dhe përgjegjësi shtetërore, duke i dhënë fund krizës aktuale përmes një zgjidhjeje të qëndrueshme, që respekton frymën dhe shkronjën e Kushtetutës, si dhe vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
UÇK-ja nuk luftoi për bllokada politike. Nuk luftoi për interesa të ngushta dhe për ngërçe që paralizojnë institucionet. Ne luftuam për një Kosovë të lirë, demokratike dhe funksionale, me institucione që i shërbejnë qytetarit, jo logjikës së pushtetit me çdo kusht”, thuhet në reagim.
“Nëse kriza institucionale vazhdon dhe cenon më tej rendin demokratik dhe stabilitetin e vendit, ne, OVL, SHIL, SHFD të UÇK-së, Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria ‘Lëvizja’ do të ndjejmë për obligim që të ndërmarrim hapa të mëtejshëm publikë, institucionalë dhe qytetarë, për të mbrojtur vlerat për të cilat u sakrifikua shumë dhe për të garantuar funksionimin e shtetit në frymën e Kushtetutës.
Kosova është përgjegjësi e të gjithëve, dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng”, thuhet tutje. /Telegrafi/