Osmani: Historia e Nënë Ferdonijes, të shërbejë si kujtesë e historisë sonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 25 vjeteorin e vrasjes së djemve dhe bashkëshortit të Ferdonije Çerkezit, të cilët forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, i rrëmbyen dhunshëm dhe i`a vranë.

Ajo, në këtë përvjetor ka thënë se nga atherë, pritja e ka rënduar, ‘por Nëna stoike nuk ka hequr dorë nga shpresa’ dhe se shtëpia e saj tashmë është muze.

“Pjatat në tavolinë janë bërë personifikim i pritjes për djemtë dhe bashkëshortin e Nënës Ferdonije Çerkezi, e cila prej 25 vjetësh, dhimbjen e ka bashkuar me pritjen. Në ora 11:00, 25 vjet më parë ajo pati takimin e fundit me katër djemtë dhe bashkëshortin, të cilët forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, i rrëmbyen dhunshëm”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka shkruar se eshtrat e dy djemve të saj janë gjetur, teksa pritja për zbardhjen e fatit të 2 djemve dhe bashkëshortit, ende nuk ka marrë fund.

“Nga atherë, pritja e ka rënduar, por Nëna stoike nuk ka hequr dorë nga shpresa. Historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës”, ka shkruar e para e vendit Vjosa Osmani. /RTK/

Read Previous

Identifikohen 4 automjete që hynë ilegalisht nga Serbia në Kosovë

Read Next

Konstituohet Komisioni Hetimor për zyrtarët e MPJD-së