Osmani takon profesorin Murphy, i shpreh mirënjohje për kontributin e tij në GJND

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim profesorin e të drejtës ndërkombëtare në Universitetin George Washington, Sean D. Murphy, i cili ishte anëtar i ekipit përfaqësues të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin që lidhet me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Në njoftimin e presidencës bëhet e ditur se Osmani ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Kosovës për kontributin e Murphy dhe të gjithë ekipit të GJND-së.

“Siç dihet, ky rast ishte një ndër fitoret më të mëdha në historinë e Kosovës, ku GJND konfirmoi se shpallja e pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në takim me Presidenten Osmani, u diskutua lidhur me punën e përbashkët që ishte bërë në atë kohë në mënyrë që Kosova të mblidhte argumentet e nevojshme që çuan në fitoren e Kosovës para kësaj gjykate si dhe për sfidat me të cilat Kosova po ballafaqohet edhe sot”.

“Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Kosovës për kontributin e Profesorit Murphy dhe të gjithë ekipit të GJND-së dhe e ka njoftuar atë për disa prej nismave të rëndësishme të institucioneve të Kosovës që kanë për qëllim fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim,

Tutje, Osmani e ka uruar profesorin Murphy për çmimin Doctor Honoris Causa në Universitetin e Prishtinës si mirënjohje për kontributin e dhënë në procesin gjyqësor në GJND.

“Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka uruar profesorin Murphy për çmimin Doctor Honoris Causa në Universitetin e Prishtinës si mirënjohje për kontributin e dhënë në procesin gjyqësor në GjND. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë bashkëpunimi me profesorin Murphy edhe në të ardhmen”, thuhet tutje në njoftim.

/KlanKosova/

Read Previous

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, gjykimi nis më 24 maj

Read Next

Para betimit të kryetarëve në veri, Hovenier takon Kurtin