Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përkujton njëzet e gjashtë vjetorin e masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan.
“Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb”, ka shkruar Vjosa Osmani.
Ajo thekson se dyzet e katër civilë në Qyshk, shtatëmbëdhjetë në Zahaq, njëzet e një në Pavlan dhe trembëdhjetë në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.
“Kujtimi për ta mbetet i përhershëm, ndërsa drejtësia ende mungon. Le të jetë kjo ditë një thirrje për drejtësi. Kosova nuk harron”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, masakra e katërmbëdhjetë majit ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.
Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën dyzet e katër civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.