Osmani për Kurtin: Dallimet në rritjen dhe të kaluarën tonë politike nuk duhet ta pengojnë progresin e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur pë raportet me kryeministrin, Albin Kurti, duke thënë se herë pas here kanë debate me njëri-tjetrin për çështje të caktuara.

Osmani ka thënë se këto debate nuk i kanë aq serioze sa të mos tejkalohen.

 “Sinqerisht, mua në fillim kur më thanë që kishte debate për këtë gjë, mua nuk mu kujtua se për çka kemi qenë duke folë në këtë moment. Pastaj e kujtova që ka qenë një diskutim rreth ligjit për zgjedhje të përgjithshme dhe nuk ka qenë diçka serioze, e tejkalohet pa asnjë problem për të cilën jemi duke punuar që të tejkalohet”, ka thënë presidentja Osmani, duke përmendur raportimet e para pak ditësh për diskutimin nën tensione me Kurtin.

Sipas presidentes, debatet janë normale dhe të shëndetshme në demokraci, por siç pohon ajo, qëllimet me Kurtin i kanë të përbashkëta.

Nuk do të thotë që nuk kemi debate të zjarrta, kemi por kjo nuk ka qenë një prej tyre. Ka gjithmonë debate të zjarrta por në fund gjithmonë e gjejmë një rrugë përpara dhe një mirëkuptim. Është me rëndësi qëllimet ti kemi të përbashkëta, qëllime që kanë të bëjnë me një Kosovë çdo ditë e më të suksesshme, çdo ditë e më të fuqishme edhe brenda edhe jashtë sepse fuqizimi i ynë përbrenda reflekton edhe ndërkombëtarisht natyrshëm që çdo ditë marrim vendime që janë në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka folur edhe për dallimet në rritjen dhe të kaluarën politike me Kurtin, duke thënë se këto nuk duhet të pengojnë progresin e Kosovës.

Edhe pse ne jemi rritur ndryshe politikisht, kemi të kaluar të ndryshme politike kjo nuk do të thotë që duhet të lejojmë që këto dallime dhe këto ndryshime ta dëmtojnë Kosovën dhe kemi filluar nga dita e parë e bashkëpunimit mbi këtë prizmë që edhe kur kemi ndryshime edhe kur kemi dallime të bëjmë debate sado të gjata por në fund t’a arrijmë një qëndrim të përbashkët i cili është në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Osmani ka përmendur se bashkëpunimi dhe synimet e përbashkëta janë thelbësore për të avancuar interesat e vendit, duke theksuar nevojën për bashkëpunim edhe në rastet kur institucionet kanë kompetenca të ndara por që ndonjëherë ato gërshetohen.

Nuk është mirë që gjithmonë të pritet që të kemi qëndrime identike sepse është edhe brenda familjes, njeriu nga njëherë ka mendime të ndryshme por edhe brenda familjes së njëjtë politike njerëzit kanë dallime. Ne jemi dy institucione të ndryshe, kemi kompetenca të ndara por në shumë raste ato edhe gërshetohen prandaj është edhe e domosdoshme që të bashkëpunojmë dhe t’i kemi synimet dhe qëllimet e përbashkëta”, ka përfunduar Osmani në RTV Dukagjini.

Read Previous

Ronaldo e përmbyll vitin 2023 si golashënuesi më i mirë në botë

Read Next

Trenat e Eurostar janë anuluar për shkak të paralajmërimeve të erës, shiut dhe borës