Presidentja e vendit planifikon që brenda kohës së mbetur të mandatit të saj ta themelojë një Komision Presidencial për Drejtësi Trancionale. Statuti i miratuar parasheh një mekanizëm që do të adresojë trashëgiminë e luftës dhe të ndihmojë në rimëkëmbjen e viktimave.
Statuti i miratuar i Komisionit Presidencial për Drejtësi Tranzicionale, një kopje të së cilit e posedon Radio Kosova, parasheh të trajtojë trashëgiminë e luftës së Kosovës dhe të viktimave të krimeve të kryera mes janarit 1998 dhe 20 qershorit 1999.
Ky komision do të ketë një mandat 3 vjeçar me mundësi të zgjatjes së afatit edhe për 12 muaj të tjerë.
Sipas këtij dokumenti, Komisioni Presidencial për Drejtësi Tranzicionale do të ketë 11 anëtarë: 5 nga organizatat përfaqësuese të viktimave të luftës, nga të cilat 2 prej komuniteteve jo shumicë, 2 nga shoqëria civile të fushës së drejtësisë tranzicionale, 2 ekspertë të jashtëm, një psikolog dhe një psikiatër.
Statuti i këtij mekanizmi thekson ndërtimin e një ambienti të sigurt për viktimat që dalin hapur për të folur për vuajtjet e tyre gjatë luftës, duke siguruar mbështetje psike-sociale për të mbijetuarit, me një kujdes të veçantë për mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale në luftë.
Komisioni Presidencial ka përfshirë edhe dëgjimet publike të mbijetuarve dhe të kryerësve të krimeve. Këto dëgjime publike do të mbahen me pëlqimin e palëve dhe vlerësimin e Komisionit, duke u dhënë platformë viktimave që të tregojnë për vuajtjet e tyre gjatë luftës. Po ashtu në dëgjimet publike do të mund të përfshihen edhe autorët e krimeve dhe dëshmitarët.
Dokumenti thekson se “Komisioni zotohet se do të mbështesë viktimat dhe dëshmitarët dhe do t’u ofrojë atyre hapësirë të sigurt për të treguar publikisht apo privatisht abuzimet ndaj tyre, pasojat dhe nevojat e tyre”, duke aplikuar masa të veçanta për mbrojtjen e integritetit psiko-fizik të tyre.
Në mandatin e këtij komisioni do të jetë edhe promovimi i bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve në Kosovë, “bazuar në vlerat e tolerancës dhe respektit”.
Komisioni Presidencial për Drejtësi Tranzicionale gjithashtu synon të kontribuojë në garantimin e të drejtave të viktimave, përfshirjen në politikat që lidhen me të drejtat e tyre dhe të angazhohet në parandalimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare.
Puna e Komisionit përmbyllet me një raport final, tre muaj para përfundimit të mandatit./rtklive