Osmani në takim me Lajçak: Kosova kërkon zbatim të plotë të marrëveshjeve dhe heqje të masave të BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Sipas njoftimit për media nga Zyra e Presidentes, thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç ‘rast Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces.

“Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni. Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa poashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”, thuhet në njoftim.

/Telegrafi/

Read Previous

Kërkohej si pjesë e një grupi kriminal droge, kapet në Rinas 32 vjeçari nga Maqedonia e Veriut

Read Next

32 biznese janë hapur në Gjakovë gjatë janarit