Osmani në Komitetin e Ministrave të KiE-së: Anëtarësimi i Kosovës kontribuon në stabilitetin rajonal

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ka lobuar që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, duke thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut.

Këto komente, Osmani i ka bërë pasi që në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dështoi që të futej në agjendë çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

“Është me rëndësi të madhe që të mos i shmangemi përqafimit të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe angazhimet tona. Prandaj ne vazhdimisht e kemi mbështetur përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim opinionin që u rekomandon Komitetit të ministrave që ta ftojë Kosovën për anëtarësim në organizatë”, tha Osmani.

Ai ka theksuar se “ne besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut dhe instrumente të tjera dhe se anëtarësimi i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”.

Çka ndodhi?

Ndryshe, Kosova ka dështuar që të futet në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës – i cili shënoi 75-vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin evropian – për t’u shqyrtuar anëtarësimi i saj në këtë organizatë.

Kjo për shkak se vendet anëtare, posaçërisht ato kryesore si Franca e Gjermania kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën ekzekutivi ka refuzuar ta bëjë.

Në vend të kësaj, Qeveria, përmes Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar të martën një letër Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku janë zotuar se do ta shkruajnë një draft për Asociacionin dhe të njëjtën do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese./Albanianpost.com

Read Previous

Kodi i ri doganor e akcizave hyn në fuqi më 26 maj

Read Next

Përkujtohen dëshmorët e kombit në Shqiponjë të Dushkajës