Osmani: Kujtimi për Nazif Gashin do të jetë inspirues për brezat që vijnë

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për familjen Gashi pas vdekjes së legjendës së boksit, Nazif Gashi, njërit prej emrave më të shquar të sportit në Kosovë dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas.

Në telegramin e ngushëllimit, presidentja Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gashit për sportin dhe vendin.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit, njërit prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas”, thuhet në reagimin e saj.

Ajo kujtoi se Gashi, si boksier i klubit “Prishtina”, u bë simbol i guximit, disiplinës dhe përkushtimit, ndërsa paraqitjet dhe fitoret e tij e bënë të njohur klubin e kryeqytetit në gjithë Jugosllavinë e atëhershme.

“Kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë”, deklaroi Osmani, duke i shprehur ngushëllime familjes, të afërmve, Federatës së Boksit të Kosovës dhe gjithë komunitetit sportiv.

Në fund të mesazhit, presidentja u shpreh se në këto çaste të rënda që po kalon familja, ajo bashkëndjen dhimbjen me ta dhe u dëshiroi forcë për ta përballuar humbjen.

“I përhershëm qoftë kujtimi për Nazif Gashin”, përfundon reagimi i presidentes.

Gashi vdiq në moshën 74-vjeçare./koha.net

Read Previous

62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Read Next

Mbretëria e Bashkuar vendos sanksione për mediat dhe platformat ruse, përhapnin dezinformim