Për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shteti që ajo udhëheqë shumë shpejt do të jetë anëtar i ri i Këshillit të Evropës.
Këto komente, Osmani i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pasi që në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dështoi që të futej në agjendë çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë”, shkroi Osmani.
Pasi të jemi atje, e para vendit ka theksuar se “ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë KiE: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës”.
“Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, shtoi.
Presidentja potencoi se Kosova është mirënjohëse ndaj të gjitha atyre vendeve që e kanë mbështetur deri më tani në këtë proces.
“Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut më shpejt se sa vonë”, përfundoi ajo./Albanianpost.com