Osmani: Kosova besoj shumë shpejt do të ulet në NATO dhe do ta kthej borxhin duke ndihmuar në vende të tjera

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.

E para e vendit, Osmani, beson që shumë shpejt Kosova do të ulet në NATO krah këtyre miqve dhe do t’ua kthejë borxhin duke ndihmuar në vende tjera.

“24 marsi vërtet ishte ditë e shpresës së madhe sepse për herë të parë aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocidal i Millosheviqit, dhe së bashku me shumë shtete te tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë dhe atë ditë të çlirimit ne edhe do ta shënojmë me 12 qershor të këtij viti. Kjo ditë e shpresës se madhe u shndërrua në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë prandaj edhe sot jam e shoqëruar me ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve mike, që qëndruan pranë Kosovës jo vetëm me 24 mars, jo vetëm në vitin 99, por po qëndrojnë me ne edhe sot përderisa përballemi me sfida të shumtë për ta fuqizuar Kosovën edhe ndërkombëtarisht. Faleminderit përjetësisht NATO, Kosova besoj shumë shpejt do të ulet në NATO përkrah miqve të cilët na qëndruar pranë në momentet më të vështira, dhe do ta kthej këtë borxh duke ndihmuar në vende të tjera, siç po ndihmon edhe sot ushtria jonë”, tha Osmani.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi./kp

Read Previous

Shqipëria, rekord edhe në turizmin dimëror – rritje me 50 %

Read Next

Albin Kurti sot feston ditëlindjen