Osmani, Konjufca e Kurti marrin pjesë në ceremoninë shtetërore të lamtumirës për Kadarenë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, të martën do të marrin pjesë në ceremoninë shtetërore të lamtumirës në nderim të shkrimtarit të shquar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë të hënën.

Përveç kësaj, Kosova të mërkurën e ka shpallur ditë zie, ndërsa në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, do të mbahet mbledhje komemorative në respekt të jetës dhe veprës së Kadaresë.

Në qershor të 2023-së, Osmani e pati dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit.

Kurse në gusht, e shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Shqipërisë e shpalli datën 2 dhe 3 korrik ditë zie kombëtare, ku flamujt në institucionet shtetërore dhe publike janë ulur në gjysmështizë.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, Shqipëri.

Ai studioi në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Institutin e Letërsisë Botërore Maksim Gorki në Moskë. Edukimi në Moskë i dha mundësinë të njihej me trende dhe lëvizje të ndryshme letrare që ndikuan shumë në stilin e tij të shkrimit. /Albanianpost.com

Read Previous

​Gjirokastra vajton për Kadarenë, shtëpia ku lindi do t’i bëjë monument

Read Next

NATO vendos të financojë Ukrainën më 40 miliardë dollarë