Osmani, Konjufca dhe Kurti ngushëlluan 7 familjet e atyre që humbën jetën në aksidentit tragjik në Kroaci

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë shkuar sot për ngushëllime në familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë.

Ata u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar se do të kenë mbështetje institucionale.

Në një komunikatë për media nga zyra e presidentes tregohet se krerët e shtetit kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyeshme të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.

Presidentja Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit”, shkruhet në komunikatë.

Kryetari i Kuvendit, Konjufca, theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase erdhën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin, por e gjetën vdekjen.

Ndërkaq kryeministri Kurti tha se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.

Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera./GazetaSinjali

Read Previous

Në Itali gjendet anija e lashtë romake e shekullit II para Lindjes së Krishtit

Read Next

Moti sot