Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media me homologun e saj nga Bullgaria, Rumen Radev, ka pranuar se ka tendencë nga disa shtete të Bashkimit Evropian që masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të këtij të keqpërdoren në mënyrë që të kushtëzohet Kosova për çështje komplet të ndryshme nga arsye për të cilën ato janë vendosur në fillim.
Ajo ka bërë të ditur se pikërisht një qasje të tillë e ka kundërshtuar edhe në samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor që u mbajt javë më parë.
“Pra, nëse dikush mendon që të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativë”, tha ajo.
Osmani, ndër të tjera, ka potencuar se masat ndëshkuese të BE-së janë dashur të hiqen që moti meqë Kosova i ka plotësuar kushtet e parashtruara nga Unioni për heqjen e tyre.
“Përkundër mospajtimeve që kanë ekzistuar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve në Bashkimin Evropian sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar brenda territorit të saj nuk e ka pushtuar askënd nuk ka përdorur dhunë dhe nuk e ka rrezikuar askënd që të meritonte masa të padrejta dhe jo proporcionale”.
“Pra, duke treguar përkushtimin e plotë dhe konstruktivitetin e plotë në këtë proces, atë që janë kërkuar nga Kosova për de-eskalim tashmë kanë ndodhur dhe masat ishin dashur të hiqen se janë masa që në mënyrë të padrejtë afektojnë negativisht jetën e qytetarëve tanë nëpërmjet projekteve që janë bllokuar”.
Osmani: Është e domosdoshme që Kosova të bëjë hapa përpara drejtë NATO-s
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media, pas takimit më shumë se 1 orësh me homologun e saj nga Bullgaria, Rumen Radev, tha se marrë parasysh situatën e brishtë të sigurisë në rajon dhe më gjerë është e domosdoshme që Kosova të bëjë hapa përpara drejtë anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike.
“Vetëm anëtarësimi në NATO i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mund të ketë efekt afatgjatë për paqe dhe stabilitet në gjithë rajonin tonë”, tha ajo fillimisht.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, Osmani potencoi se Sofja zyrtare ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në çdo etapë të ndërtimit të paqes dhe të Kosovës.
“Ne e shohim Bullgarinë si shtet mik, si partnere dhe si aleate, prandaj jemi të gatshëm dhe plot vullnet për zhvillime pozitive në fusha të ndryshme të partneritet bilateral”.
“Angazhimi në KFOR, njohja e pavarësisë së Kosovës, përkrahja për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përkrahja për anëtarësimin tonë në organizata ndërkombëtare dhe përkrahja e vazhdueshme për integrimin euroatlantik për vendin tonë”, shtoi ajo. /Albanianpost.com