Gjatë periudhës janar-tetor, mbi 80 për qind të viktimave të dhunës kanë qenë gra. E sipas presidentes, Vjosa Osmani, këto vrasje kanë mundur të parandaloheshin nëse institucionet do të vepronin shpejt.
Kështu deklaroi e para e vendit në takimin e radhës të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, teksa foli për barazinë gjinore.
Siç tha ajo, institucionet përgjegjëse duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim.
“Në takimin e fundit të këtij këshilli tema themelore ka qenë dhuna mbi bazë gjinore, që për fat të keq edhe në fund të vitit të kaluar kishe përfunduar me vrasje të grave. Njësoj ka ndodhur edhe këtë vit ku humbëm jetë të çmuara dhe kjo tregon se dhuna mbi bazë gjinore vazhdon të jetë një këmbanë alarmuese për të gjithë ne, si për institucionet ashtu edhe për shoqërinë tonë. Kishim rastin e Liridona Ademajt dhe raste tjera që janë shndërruar në tragjedi të ditëve tona, dhe ky ballafaqim me femicid që përsëri ndodhi gjatë 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore tregon se ka rritje të dhunës në këtë aspekt. Është alarmuese kur kuptojmë se nga viti 2019 e tutje kemi pasur vazhdimisht rritje te rasteve të dhunës të raportuara në polici, ende nuk janë statistikat finale për vitin 2023, besoj se shumë shpejtë do dalin. Por, megjithatë siç shihet gjatë periudhës janar-tetor, mbi 80 për qind e viktimave të dhunës kanë qenë gra. Përgjegjësia padyshim se bie mbi kryeresin e veprës, por duhet të sigurohemi që të fuqizohen gjithë mekanizamt përgjegjës. Shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku gratë ishin viktima të bashkëshortëve ose partnerëve të tyre kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershme të institucioneve përgjegjëse”, tha Osmani.
Ajo apeloi përfshirjen e grave edhe në listat zgjedhore, por edhe në institucione publike.
“Dua të shpreh pakënaqësinë time që Ligji për zgjedhjet e përgjithshme i amandamentuar në Republikën e Kosovës nuk mori parasysh rekomandimet e këtij grupi, në mënyrë që edhe në lista por edhe në Kuvendin e Kosovës të ketë gra aq sa parashihet me ligjin për barazinë gjinore dhe këtu edhe njëherë për gjithë burrat e partive politike një inkuarijm që kjo çështje të rregullohet sa më parë që të jetë e mundur”, shtoi Osmani. /KosovaPress/