Osmani: Epopeja e UÇK-së e ka rikthyer dinjitetin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas homazheve në Kompleksin Memorial, Adem Jashari, në Prekaz, në një prononcim të shkurtër për media ka potencuar se Familja Jashari personifikon sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia jonë.

Epopeja e UÇK-së, sipas Osmanit, është Epopeja e krenarisë së vendit.

“Epopeja e UÇK-së e ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë, është epope që e simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot, prandaj Familja Jashari do të mbesin përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sakrifica e Jasharajve dhe lufta e UÇK-së përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen kombëtare.

“Jemi këtu në Prekaz që t’i bëjmë nderimet tona ndaj sakrificës së familjes Jashari. Padyshim që në të gjithë historinë tonë, së bashku me luftërat e lavdishme të Skënderbeut dhe Lidhjen e Prizrenit, sakrifica e Jasharajve dhe lufta e UCK-së, përbejnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen tonë kombëtare. Prandaj për sa kohë të ekzistojë kombi shqiptar, gjithmonë do të jetë një vend ku vazhdimisht gjejmë frymëzim dhe patriotizëm se si të mbrohet vendi dhe të ushqehet liria”, ka potencuar ai.

Në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, më 5, 6 dhe 7 mars, forca të mëdha policore e paramilitare serbe rrethuan shtëpitë e familjes Jashari, duke vrarë 55 anëtarë të kësaj familjeje. Komandanti i UÇK-së, rezistenca dhe sakrifica e familjes Jashari u bënë simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 u krye sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa sulmi i dytë u krye më 22 janar 1998, ku forcat speciale serbe zbrazën një arsenal të llahtarshëm armatimesh. Në këtë betejë u plagosën dy vajza të familjes Jashari – Selvetja dhe Iliriana. Por sulmet nuk u ndalën.

Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë serbe shpërthyen rrethojën dhe u vërsulën drejt shtëpive të familjes Jashari. Nga familja e ngushtë e komandantit të UÇK-së u vranë 22 anëtarë, duke përfshirë gra e fëmijë. Në këtë betejë u vranë edhe 33 shqiptarë tjerë të fshatit Prekaz.

Ndryshe të martën Kuvendi i Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku vlerësua lart sakrifica e familjes Jashari për çlirimin e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se në rrugën përpara të shtetit të Kosovës duhet të ruhen dhe kultivohen vlerat për të cilat ka rënë Adem Jashari dhe të gjithë heronjtë e tjerë të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca u shprehën se shteti i Kosovës është ngritur mbi trashëgiminë luftarake, kombëtare e politike të Adem Jasharit dhe pasuesve të tij. /Albanianpost.com

Read Previous

Cameron: Po investojmë në vendet ku nevojitet stabiliteti, siç është Kosova

Read Next

Prokuroria kërkon gati pesë vite burg për Ancelottin