Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti udhëtuan për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi Presidenca e Kosovës në uebsajtin zyrtar.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës, thotë njoftimi.
Para dy javësh qeveria e Kosovës autorizoi presidenten Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-n.
“Vendimi miratuar në këtë mbledhje, ka të bëjë me Projektin ‘Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit’, për autorizim të Ministres së Ekonomisë nga Presidentja e Republikës së Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.
Javë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përgëzuar Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Programin e Kompaktit.
“Urime të gjithë të përfshirëve në marrjen e këtij hapi të rëndësishëm drejt rritjes ekonomike më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën. Mezi presim që përmes partneritetit tonë Kompakt të MCC-së të transformojmë sektorin energjetik të Kosovës, gjatë viteve të ardhshme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës në Twitter.
Më 1 korrik, Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka bërë të ditur se ka aprovuar Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, nga financimi 200 milionë dollarë janë në formë granti nga SHBA-ja, ndërsa rreth 35 milionë dollarë do të ndahen nga Qeveria e Kosovës.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga programi i ri i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Sipas Rizvanollit, ky është investimi më i madh në historinë e Kosovës, por edhe në rajon
“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës në orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë”, tha Rizvanolli gjatë nisjes së takimit me delegacionin amerikan.
Drejtoresha e MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, potencoi se ky program vjen në kohën kur bota po përballet me krizë energjetike.
“Të gjithë [në bordin e MCC-së] ishin të entuziazmuar për këtë program. Kam dëgjuar nga të gjithë përfaqësuesit se sa kritike dhe sa në kohë të duhur është ky program dhe me të vërtetë e shohin këtë si fuqi për të ndihmuar Kosovën në energjinë e pastër dhe duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe sfidat e dimrit të kaluar, ndjenja ishte se Kosova nuk duhet të humbë kohë që të marrë këtë program”. /Albanianpost.com