Për kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, rezervat e zhvillimit të Evropës gjenden vetëm në Ballkan dhe ashtu si vendet e Evropës qendrore dhe lindore, sollën zhvillim me hyrjen në Bashkimin Evropian, ashtu do ta sjellë edhe Shqipëria në të ardhmen.
Kështu e ka vlerësuar situatën kreu i Qeverisë hungareze, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ku e përshkroi situatën si “shumë të rëndë” sa i takon aspektit ekonomik dhe krizës së fundit në Evropë, por e ka quajtur njëkohësisht edhe “të turpshme” ngadalësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Ndaj, mbi këtë premisë, ai ka mbështetur fuqimisht integrimin e Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit në BE, pasi janë e vetmja mënyrë se si unioni mund të zhvillohet.
Për të, me ritme të tilla kaq të avashta sa Evropa ka ndërmarrë vitet e fundit, të gjitha vendet rrezikojnë të dalin nga 10 ekonomitë më të mëdha në botë, përveç Gjermanisë.
Ndaj, për të evituar këtë, Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet sa më parë dhe të nxisë procedura të përshpejtuara për gjithë Ballkanin.
Sipas Orban, është për të ardhur keq që Tiranës i është dashur të presë 13 vjet për të hapur negociatat me BE-në.
Vlerësim të madh ndërkaq shprehu për avancimin e Shqipërisë dhe ka shprehur kënaqësi që të dy vendet kanë gjetur mënyrën të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, si energjia, investimet në biznes apo turizmi.
Mbi të gjitha rreth këtij të fundit, ai ka thënë se Hungaria do të japë ekspertizën e saj me politikat e ndjekura, duke dhënë shembullin e një vendi pa det, por me turizmin që përbën 15% të gjithë Prodhimit të Brendshëm Bruto për vendin. /Albanianpost.com