“Opta”, kompania britanike analitike sportive, e cila ofron të dhëna për mbi 30 sporte të ndryshme dhe operon në mbi 70 vende, ka zbuluar ato pak shanse minimale që Kombëtarja e Shqipërisë ka për të fituar Euro 2024-ën.
Shorti për Euro 2024 prodhoi disa grupe shumë interesante, dhe ndoshta asnjë më shumë se Grupi B, me tre nga katër ekipet secili me një shans të arsyeshëm për të shkuar deri në fund të turneut.
Ish-kampionët e Evropës, Spanja dhe Italia, janë të bashkuar me një skuadër kroate që përfundoi e treta në Kupën e Botës 2022, si dhe Shqipëria.
Shqipëria është ekipi më jo favorit i Grupit B në Euro 2024, por kjo nuk do të thotë se do të jetë një kundërshtar i lehtë për asnjë nga tre skuadrat e tjera, thuhet në analizën e “Opta”-s.
Sylvinho drejton Shqipërinë vetëm në turneun e tyre të dytë të madh ndërkombëtar pasi Gianni de Biasi i çoi në Euro 2016. Ish-mbrojtësi i majtë i Arsenal-it dhe Barcelona-s do të bëhet trajneri i parë brazilian në një kampionat evropian që kur Luiz Felipe Scolari drejtoi Portugalinë në 2008.
Shqipëria përfundoi në krye të grupit të saj kualifikues për Euro 2024 përpara Republikës Çeke dhe Polonisë. Jasir Asani ka ndihmuar shumë në këtë, duke u përfshirë në kualifikuese më shumë se çdo lojtar tjetër shqiptar (3 gola, 2 asistime). Në të vërtetë, tre golat e tij u shënuan nga vetëm katër goditje në portë.
Ata kanë gjithashtu Rey Manaj në sulm, sulmuesi shënoi 18 gola në Super Ligën Turke për Sivasspor-in në sezonin 2023-24.
Por, si i vlerëson “Opta” shanset e Shqipërisë për t’i shkuar deri në fund turneut të këtij viti në Gjermani?
Kuqezinjëve u jepet vetëm 33.4% shanse për të kaluar në 16-shen e fundit, por nëse mund të bëjnë një fillim të mirë në ndeshjen hapëse kundër Italisë më 15 qershor, mos i numëroni.
Megjithatë, pak para se të fillojnë ndeshjet e Euro 2024, situata është e qartë, gjithmonë sipas analizës së “Opta”-s.
Një përfundim i Shqipërisë në krye të grupit ka vetëm 5.7% shanse të ndodh. 12.3% janë shanset për vendin e dytë, 25.7% për të tretin dhe 56.4% për të katërtin.
Spanja kuotohet me 47.3%, duke pasur shanset më të mëdha për të përfunduar në krye të Grupit B. Pas tyre vjen Italia me 29% dhe Kroacia me 18%.
Për të kaluar në 16-të më të mirat, Shqipëria kuotohet me 33.4%, teksa Spanja me 89.1%, Italia me 80.3% dhe Kroacia me 67.8%.
Dhe, nëse Shqipëria kalon më tej se raundi i të 16-ave, shanset sa vijnë e ulen për një avancim dhe triumf përfundimtar në Euro 2024.
11.6% janë shanset që kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho të kualifikohen në raundin çerekfinal të kompeticionit. Ndërsa, 3.2% janë shanset për kalimin në gjysmëfinale.
Shanset e kuqezinjëve për të arritur finalen e madhe të Berlinit janë vetëm 0.8%. Ndërsa, një triumf përfundimtar i tyre ka 0.2% shanse të ndodhë.
Euro 2024 është më në fund gati për të filluar, me turneun e parë që do të mbahet në Gjermani që nga viti 1988. Edicioni i 17-të i Kampionatit Evropian do të shohë 24 skuadra të luftojnë në 51 ndeshje për të përcaktuar fituesin e “Trofeut Henri Delaunay” në “Olympiastadion” të Berlinit më 14 korrik.
Faza e grupeve do të shohë gjashtë grupe, secili me katër skuadra. Gjashtëmbëdhjetë nga këto skuadra do të kalojnë në fazën eliminatore, me vendet e para dhe të dyta në secilin grup që kualifikohen për në 16 të fundit, si dhe katër skuadrat më të mira të vendit të tretë.
Janë 10 qytete gjermane që presin ndeshje në Euro 2024, me Berlinin, Mynihun, Dortmundin, Shtutgartin, Gelsenkirchenin, Frankfurtin, Hamburgun, Dyseldorfin, Këlnin dhe Lajpcigun që të gjitha mirëpresin ekipet kombëtare gjatë muajve qershor dhe korrik.
Pasi Anglia humbi finalen e Euro 2020 në stadiumin “Wembley” me penallti kundër Italisë, skuadra e Gareth Southgate është bërë favorite e Euro 2024 nga superkompjuteri i “Opta”-s, ndërsa italianët do të shpresojnë të ruajnë titullin e tyre këtë verë.
Cristiano Ronaldo do të kërkojë të shtojë numrin e golave të tij tashmë rekord në Kampionatin Evropian, ndërsa sulmuesi i ri i Real Madrid, Kylian Mbappe do të kërkojë të ndihmojë Francën të fitojë titullin e parë të Euro-s që nga viti 2000. /Albanianpost.com