Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se për mocionin për futjen në rend të ditës të formimit të Komisionit Hetimor parlamentar, kanë votuar 33 deputetë dhe mbetet për seancën e ardhshme. Për të kaluar ky mocion nevojiten 72 vota.
Në Kuvendin e Kosovës, të pranishëm gjatë këtij votimi ishin 108 deputetë.
Lidhur me këtë, partitë opozita kanë njoftuar se do ta bojkotojnë Kuvendin e Kosovës.
Arben Gashi i LDK-së tha se pasi “u mohua një e drejtë kushtetuese”, LDK-ja do ta lëshojë sallën e Kuvendit.
“Meqënëse opozita iu mohua një e drejtë kushtetuese, GP i LDK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë mbledhje dhe e ne e lëshojmë sallën”, shtoi Arben Gashi i LDK-së.
Po ashtu, shefi i deputetëve të PDK-së, Ableard Tahiri, tha se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë as në seancat e tjera, pasi dështoi të votohej mocioni rreth komisionit hetimor për sektorin energjetik.
“Kjo ishte hera e parë që propozohet themelimi i një komisioni hetimor. Sot mendoj që është bërë një veprim i dëmshëm nga mazhoranca. Si opozitë, kemi qenë konstruktiv, sot na u mohu një e drejtë parlamentare. Kjo është një padrejtësi e madhe. Si GP i PDK-së nuk do të marrim pjesë në votimet e mëtutjeshme as në seancat e tjera”, tha Abelard Tahiri.
Njëjtë deklaroi edhe Besnik Tahiri, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, ka thënë se nuk është e mundur që të formohet Komisioni Hetimor parlamentar i propozuar nga opozita pasi sipas saj nuk është proces i ligjshëm. /Paparaci