Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, ka njoftuar se pas një operacioni 10 orësh të shtunën është gjetur e vdekur një shtetase kroate, pasi ka rrëshqitur nga faqja malore në majën e Jezercës në drejtim të greminës.
“Ekipi ynë së bashku me policinë e shtetit shqiptar dhe me anëtar të shërbimit të kërkim shpëtimit malor kanë filluar një operacion të shpëtimit nga lugina e Valbonës duke u transportuar me helikopter deri në një pikë të afërt ku ka pasur mundësi aterimi”, thuhet në njoftim.
“Fillimisht është bërë qasja te viktima L.Z e lindur më 1981, e cila kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse dhe ishte gjetur pa shenja jete, pastaj është realizuar bartja e kufomës deri në helikopter për transport në spitalin më të afërt”.
Po ashtu, sipas njoftimit për media të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, operacioni ka vazhduar me qasje te pjesa e tjetër e grupit të cilët ishin ngujuar në një pozitë të rrezikshme, 7 bjeshkatarë, 4 shtetas të Kroacisë dhe 3 të Serbisë.
“Me të arritur te ngujuarit, shpëtuesit tanë kanë ndërtuar sistem të sigurisë me litar duke i lëshuar deri në pikë të sigurt ( evakuim teknik) dhe nga aty janë evakuar në drejtim të fshatit Vuthaj të Malit të Zi”.
Më pas, në pjesën malazeze është bërë koordinimi me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi “GSS Crna Gora” dhe operacioni ka përfunduar me sukses pas 10 orëve të plota./Albanianpost.com