Zëdhënësja e misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuar (OKB) në Kosovë, Hayat Abu Saleh, ka deklaruar se marrëveshja për burgjet mes Danimarkës dhe Kosovës rrezikon përfshirjen e të drejtave për mosdiskriminim, jetën familjare dhe shëndetin.
Ndërsa, ka vlerësuar se institucionet duhet të jenë të shqetësuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Kjo ngre shqetësime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë mundësimin e monitorimit efektiv të pavarur sipas Rregullave Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve (Rregullat e Nelson Mandela) dhe instrumenteve të tjera rajonale e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Saleh për Radio Televizonin e Kosovës (RTK).
Në muajin shtator, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë nga Danimarka, Peter Hummelgaard, kishte përmendur zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për burgun e Kosovës, pas ratifikimit të traktit mes dy vendeve.
Çka përfiton Kosova nga marrëveshja me Danimarkën?
Përmes marrëveshjes me Danimarkën, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.
Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.
Ndërsa, pagesa tjetër do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë..
Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.
Ndërkaq, udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.
Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. /Albanianpost.com