“OKB e gatshme të mbështesë një paqe të drejtë në Ukrainë”

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka ofruar mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për një paqe të drejtë – për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ai gjithashtu bëri të qartë se armëpushimi duhej të çonte në një zgjidhje që respektonte ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Ditën që do të heqim dorë nga mbrojtja e ligjit ndërkombëtar, ne i hapim rrugën kaosit në të gjithë botën”, paralajmëroi Guterres sot në Berlin.

Duke folur në përfundim të një konference për reformën e misioneve paqeruajtëse, Guterres tha se OKB-ja ishte e gatshme të ofronte mbështetje nëse palët binin dakord.

“Nëse një armëpushim dhe një zgjidhje drejt paqes do të konfirmoheshin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ky do të ishte një hap i madh përpara”, tha ai.

Ndërkohë, mbeti e paqartë se kur saktësisht dhe në çfarë formati do të zhvilloheshin bisedimet e mundshme në Stamboll.

Deklarata e Guterres erdhi gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm gjerman Johann Wadephul dhe ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, në Berlin.

Ata premtuan së bashku një ndihmë shtesë prej 82 milionë eurosh (91 milionë dollarë) për misionet paqeruajtëse të OKB-së.

Me ftesë të Gjermanisë, përfaqësues nga më shumë se 130 vende u mblodhën sot në Ministrinë e Jashtme për të premtuar kontribute konkrete dhe për t’i vënë misionet paqeruajtëse të OKB-së në një bazë solide.

Guterres theksoi nevojën për reforma në misionet e OKB-së duke nënvizuar disa probleme të rëndësishme financiare.

Ai tha se ishte absolutisht thelbësore që të gjitha shtetet anëtare të respektonin detyrimet e tyre financiare, duke paguar kontributet e tyre plotësisht dhe në kohë. /ATSH-DPA/

Read Previous

Ngërçi politik në Kosovë, Rohde: Edhe në një lojë futbolli, nëse dështon, duhet të ndërrohet lojtari

Read Next

Sacchi: Ta shoh Milanin në këtë gjendje, më jep një trishtim të madh