Ish-presidenti Barack Obama ka reaguar për propozimin e ri izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gaza me Hamasin të paraqitur nga presidenti Joe Biden.
Sipas tij, “Biden paraqiti plan të qartë, realist dhe të drejtë për të vendosur një armëpushim të menjëhershëm dhe për t’i dhënë fund luftës në Gaza – një plan që garanton sigurinë e Izraelit, kthen pengjet e marra më 7 tetor te familjet e tyre, rrit ndihmën në Gaza, lehtëson vuajtjet civilëve palestinezë dhe angazhon izraelitët, palestinezët, vendet arabe dhe komunitetin më të gjerë ndërkombëtar në procesin e rindërtimit të Gazës”.
Megjithatë, thekon Obama “vetëm një armëpushim nuk do të lehtësojë dhimbjen e tmerrshme të izraelitëve, të dashurit e të cilëve u masakruan ose u rrëmbyen nga Hamasi, apo palestinezëve, familjet e të cilëve janë shkatërruar nga lufta e mëvonshme”.
“Ai nuk do të zgjidhë konfliktin e gjatë midis izraelitëve dhe palestinezëve, ose nuk do t’i përgjigjet çështjeve të diskutueshme që lidhen me një zgjidhje me dy shtete ose aktivitetin e vazhdueshëm të kolonëve në Bregun Perëndimor”.
Por, ravijëzon ai, ajo që mund të bëjë është të ndalojë gjakderdhjen e vazhdueshme, të ndihmojë familjet të ribashkohen dhe të lejojë një rritje të ndihmave humanitare për të ndihmuar njerëzit e dëshpëruar dhe të uritur.
“Mund të shpëtojë jetë, këtu dhe tani – dhe mund të vendosë themelin për atë që do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë drejt një të ardhmeje në të cilën Izraeli është i sigurt dhe në paqe me fqinjët e tij, dhe palestinezët më në fund do të kenë sigurinë, lirinë dhe vetë- vendosmërinë që ata e kanë kërkuar për kaq gjatë”.
Obama shton se “ndërsa tragjedia në Gaza është shpalosur gjatë tetë muajve të fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të një debati publik shpesh të ashpër këtu në shtëpi – dhe në mbarë botën – në lidhje me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara duhet të përgjigjen”.
“Por pavarësisht se ku qëndron secili prej nesh në këto debate më të gjera, një armëpushim i qëndrueshëm është diçka që të gjithë duhet ta mbështesim – për hir të izraelitëve, palestinezëve dhe botës në përgjithësi. Jam thellësisht i inkurajuar nga përpjekjet e vazhdueshme dhe të palodhshme të Presidentit Biden, Sekretarit të Shtetit Tony Blinken dhe ekipit tonë diplomatik për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme”. /Albanianpost.com