Konvikti Sadik Stavileci në Gjakovë ka dy javë që ka hapur dyert për nxënës dhe studentë, të cilët tashmë janë akomoduar në ambientet e këtushme. Pas një kohe të gjatë mbylljeje për shkak të masave anti-covid, tejet i kënaqur që më në fund kanë filluar punën është shprehur Agron Kryeziu, drejtori i këtij institucioni.
Fillimi është i vështirë për nxënësit dhe studentët por që dalë ngadalë janë duke u përshtatur me ambientin, shprehet njëra nga edukatoret.
Këtu janë të vendosur nxënës të vendeve të ndryshme. Në mesin e tyre takuam edhe student që vijnë nga Peja dhe Rahoveci por edhe nga Malësia e Gjakovës, të cilët shprehen të kënaqur me mikpritjen dhe kushtet të cilat ofrohen këtu.
E në dhomën e saj është akomoduar edhe Eliona. Ajo është studente në fakultetin e edukimit, dhe thotë se po shijon jetën e re studentore me shoqe dhome.
Interesim më të madh për të qenë pjesë e konviktit këtë vit kanë shprehur vajzat. Theksojmë se ky konvikt ka kapacitet të pranojë deri në 165 nxënës e studentë.