“Nuk ka asnjë justifikim”, Macron thirrje Izraelit të ndalojë vrasjen e grave dhe foshnjave në Gaza

Izraeli duhet të ndalojë vrasjen e foshnjave dhe grave në Gaza.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për britaniken “BBC” presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ai theksoi se nuk kishte “asnjë justifikim” për bombardimet, duke thënë se nga një armëpushim do të përfitonte Izraeli.

“Ndërsa njohim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, ne i bëjmë thirrje që të ndalojnë këtë bombardim në Gaza”.

Por ai gjithashtu theksoi se Franca “dënon qartë” veprimet “terroriste” të Hamasit.

Franca – si Izraeli, SHBA, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore – e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.

Kur u pyet nëse donte që liderë të tjerë – përfshirë në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar – t’i bashkoheshin thirrjeve të tij për një armëpushim, ai u përgjigj se shpresonte se do ta bënin.

Nga ana tjetër, Izraeli thotë se sulmon objektiva ushtarakë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ndërmerr hapa për të reduktuar viktimat civile, si lëshimi i paralajmërimeve përpara sulmeve dhe thirrja e njerëzve që të evakuohen.

Duke folur një ditë pas një konference për ndihmë humanitare në Paris për luftën në Gaza, Macron tha se “përfundimi i qartë” i të gjitha qeverive dhe agjencive të pranishme në atë samit ishte “se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se fillimisht një pauzë humanitare”.

“De fakto – sot, civilët bombardohen – de fakto. Këto foshnja, këto zonja, këta të moshuar janë bombarduar dhe vrarë. Pra, nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet. Kështu që ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë”.

Ai tha se nuk ishte roli i tij të gjykonte nëse ligji ndërkombëtar ishte shkelur.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu iu përgjigj me shpejtësi komenteve të Macron, duke thënë se kombet duhet të dënojnë Hamasin, jo Izraelin.

“Krimet që Hamasi po kryen sot në Gaza do të kryhen nesër në Paris, New York dhe kudo në botë”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Netanyahut.

Duke filluar nga diskutimi i Gazës, Macron tha se Franca “dënon qartë” sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, të cilat ndezën luftën.

Persona të armatosur të Hamasit vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe morën peng 240 të tjerë në sulmin e paprecedentë ndërkufitar që nisi atë ditë.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë ne për shkak të parimeve tona, sepse ne jemi demokraci. Është e rëndësishme për afatin e mesëm dhe afatgjatë, si dhe për sigurinë e vetë Izraelit, të pranojmë se të gjitha jetët kanë rëndësi”.

/albanianpost/

Read Previous

Sot luhen tri ndeshje të Superligës së futbollit, vëmendja në takimin mes Llapit e Feronikelit

Read Next

Derbi i Dukagjinit, ndeshja hapëse e xhiros së tetë në Superligën e Kosovës në basketboll