Njësitë speciale paralajmërojnë sërish protestë

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese sërish do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk kanë arritur marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti lidhur me kërkesat e tyre.

Pjesëtarët e njësisë elitare të Policisë së Kosovës tashmë kanë dorëzuar kërkesën për protestë, e cila pritet të mbahet të shtunën e 9 dhjetorit.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se janë në kontakt me ta pasi siç u shpreh ai, aktualisht nuk e di se cilat janë kërkesat e tyre.

“Ata kanë paralajmëruar protestë për datën 9 dhjetor. Kërkesën e kanë adresuar në mënyrë të rregullt te organet e rendit. Jemi duke biseduar me ta sepse aktualisht nuk e di se cilat janë kërkesat e tyre”, deklaroi Zeqiri.

Ai shtoi se ka paralajmërime se kësaj proteste do t’i bashkëngjiten edhe njësi të tjera.

“Ka paralajmërime, por këtë ende nuk e kam të konfirmuar. Gjithsesi, ne i përkrahim kërkesat e çdo polici dhe nëse mbahet kjo protestë ne si sindikatë do të marrim pjesë”, u shpreh mes tjerash Zeqiri.

“Do t’i takoj, por atë që kam pasur e kam thënë”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti kur ishte pyetur për kërkesat e dy prej njësive më elite të Policisë, që më 1 nëntor ia zunë derën me protestë.

Dhe vërtetë ashtu doli. I takoi, por asnjë gjë nuk ndryshoi.

Asnjë dakordim nuk u arrit në takimin gati tre orësh i bërë para tri javësh mes kryeministrit dhe zëvendësdrejtorit të policisë dhe përfaqësuesve të NJSI-së dhe NJTME-së.

Bile mëngjesin e parë pas takimit, Qeveria miratoi shtesat e rrezikshmërisë prej 150 eurosh, pa e rritur vlerën e tyre. /Telegrafi/

Read Previous

29 mijë emigrantë arritën në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit, përqindja e shqiptarëve me rënie të theksuar

Read Next

Sot zhvillohen 10 ndeshje në 1/16 e finales në Kupën e Kosovës