Shkencëtarët kinezë kanë ringjallur një teori të shek. XIX që bie në kundërshtim me teorinë e Charles Darwin.
Studimi i publikuar në revistën Cell, tregon se tiparet e fituara mund të ndikojnë trashëgiminë pa ndryshuar zinxhirin e ADN-së.
Studimi i udhëhequr nga shkencëtarët e Akademisë kineze të Shkencave u përqendrua te bimët e orizit të ekspozuara ndaj stresit të të ftohtit.
Këto bimë mund të trashëgonin tolerancën e përshtatjes në temperatura të ulëta në 5 breza. Ky proces anashkalon mutacionet gjenetike që janë themel i darvinizmit. Studimi thekson një mekanizëm të mundshëm të trashëgimisë epigjenetike, ku faktorët mjedisorë mund të bëjnë ndryshime tëë trashëgueshme pa prekur zinxhirin gjenetik.
Studimi rikthen debatin mes natyralistit francez Jean-Baptiste Lamarck dhe Darwin. Ky i fundit thoshte se variacioni i rastësishëm gjenetik është baza e evolucionit, kurse Lamarck pretendonte e organizmat mund të trashëgonin tipare të mësuara mbijetese.
Kjo jo vetëm që mbron idetë e natyralistit francez, por edhe sfidon biologjinë moderne që të bashkojë epigjenetikën me parimet themelore të evolucionit.
Kërkimi identifikoi ndryshimin e trashëgueshëm metilik të ADN-së si shkak kryesor të përshtatjes së bimëve në të ftohtë. Varietetet e orizit nga verilindja e ftohtë e Kinës shfaqnin këto përshtatje jo-gjenetike. Kjo do të thotë se lamarkizmi është një faktor domethënës, ndonëse i pjesshëm i manualit të evolucionit që tregon sesi organizmat përshtaten me mjedisin.
Studimi mund të ndikojë në botëkuptimin tonë lidhur me evolucionin dhe trashëgiminë për të sfiduar parimet e deritanishme të kalimit të tipareve ndër breza./tvklan.al