Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot paradite në Gjakovë, ku një person është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda”.
Rastin për TV Syrin e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, udhëheqës i zyrës për informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë (DRP-Gjakovë).
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, rreth orës 10:50 është raportuar se një mashkull i moshës madhore është sjellë pa shenja jete në spital. Pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Raporti i plotë i Policisë së Kosovës:
“Rreth orës 10:50 jemi njoftuar se një person mashkull, i moshës madhore, është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës.
Njësitë e nevojshme policore menjëherë ju kanë përgjigjur rastit dhe nga hetimet e para të zhvilluara dyshohet se i njëjti kishte pasur një çrregullim shëndetësor në një qendër tregtare në rrugën ‘Gjergj Sokoli’ në Gjakovë, prej nga ishte dërguar në spital.
Në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast ‘Hetim i vdekjes’.”