Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, këtë të martë të 22 tetorit është takuar me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Fokus i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit mes SPAK dhe Policisë së Shtetit.
Gjithashtu dy drejtuesit kanë diskutuar për ngritjen e marrëdhënieve mes dy institucioneve në një stad tjetër bashkëpunimi dhe besueshmërie mes palëve.
Vetë Proda shprehet se Policia është e angazhuar për të bashkëpunuar me institucionet dhe partnerët brenda dhe jashtë vendit dhe me policitë partnere, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Takimi vjen në një kohë kur është vënë në dukje mungesa e besimit te uniformat blu, pasi kreu i SPAK foli për rrjedhje të informacionit.
Në maj Dumani ngriti një alarm, duke thënë se është “ulëritës” fakti se anëtarë të Policisë së Shtetit bëhen pjesë bashkëpunuese e botës së krimit në vend.
“Më rezulton se janë proceduar rreth 70 punonjës nga ne. Na ka rezultuar se drejtues të lartë të policisë së shtetit, të lidhur me krimin e organizuar”, shtroi problemin Dumani.
Shembujt, sipas tij, janë bërë publikë, duke përmendur ish-drejtorin e Operacionales, Oltion Bistri, apo disa drejtorë komisariatesh dhe shefa krimesh.
Bashkëpunimi
Po ashtu takimi mes Prodës dhe Dumanit vjen në një kohë të bashkëpunimit mes SPAK dhe Policisë së Shtetit për arrestimin e Ilir Metës.
Ishte vetë ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Ervin Hoxha, i cili theksoi se për zbatimin e vendimit të Gjykatës u angazhuan efektivë të Forcës Lëvizëse Operacionale.
Kjo e fundit është forcë e posaçme e trajnuar dhe specializuar për të ndjekur protokollet standarde sipas rastit. /Albanianpost.com