Zjarrfikësit grekë kanë luftuar gjatë gjithë natës së djeshme pasi dhjetëra fronte zjarri kanë shpërthyer në Lasithi të Kretës juglindore, duke djegur mbi 200 hektarë tokë pyjore dhe bujqësore.
Flakët kanë përpirë një zonë të pyllëzuar dhe të paarritshme nga mjetet e zjarrfikësve në afërsi të qytetit, por më vonë zjarri i është afruar katër vendbanimeve dhe organet greke kanë urdhëruar që banorët e zonës të evakuohen.
Rreth 170 zjarrfikës, 12 njësi këmbësorie, 38 automjete dhe 3 helikopterë janë mobilizuar dhe kanë luftuar me flakët duke pasur pengesë kryesore erërat e forta.
Zjarri ka përfshirë edhe banesa dhe tre persona janë lënduar.
Bëhet fjalë për zjarret e para të mëdha në këtë vit, ndërsa specialistët shprehin shqetësimin se sezoni i verës sivjet mund të jetë i shumë më i vështirë se ai i kaluar, duke pasur parasysh se Greqia ka kaluar dimrin e saj më të ngrohtë në histori, pa reshje shiu e bore./Sinjali/