Nis zyrtarisht projekti për krijimin e ADN-së artificiale njerëzore

Ka nisur puna për një projekt të shumëdiskutuar që synon të krijojë blloqet ndërtuese të jetës njerëzore nga e para – një përpjekje që besohet të jetë e para në botë e këtij lloji.

Kërkimi shkencor në këtë drejtim ka qenë i ndaluar deri më tani, për shkak të shqetësimeve se mund të çojë në krijimin e “bebave të dizajnuara” apo ndryshimeve të paparashikueshme për gjeneratat e ardhshme.

Por tashmë, fondacioni më i madh në botë për kërkime mjekësore, Wellcome Trust, ka dhënë një shumë fillestare prej 10 milionë paundësh për të nisur projektin, duke deklaruar se ai ka potencialin të sjellë më shumë dobi sesa dëm – duke përshpejtuar zhvillimin e trajtimeve për shumë sëmundje të pashërueshme, raporton BBC, transmeton Gazeta Sinjali.

Dr Julian Sale, nga Laboratori i Biologjisë Molekulare i MRC në Kembrixh, i cili është pjesë e këtij projekti, i tha BBC-së se ky kërkim është “hapi tjetër gjigant në biologji”.

“Qielli është kufiri. Ne po synojmë terapi që do të përmirësojnë jetën e njerëzve me kalimin e viteve, që do të çojnë në një plakje më të shëndetshme dhe me më pak sëmundje,” tha ai.

“Kjo qasje mund të na ndihmojë të krijojmë qeliza rezistente ndaj sëmundjeve, të cilat do t’i përdorim për të rigjeneruar organe të dëmtuara – për shembull, mëlçinë, zemrën apo edhe sistemin imunitar.”

Megjithatë, kritikët shprehen të shqetësuar se ky lloj kërkimi mund të hapë rrugën për shkencëtarë të pandërgjegjshëm që synojnë të krijojnë njerëz të modifikuar apo të përmirësuar gjenetikisht.

Dr Pat Thomas, drejtoreshë e grupit fushatues Beyond GM, tha: “Na pëlqen të besojmë se të gjithë shkencëtarët punojnë për të mirën, por shkenca mund të ripërdoret edhe për të bërë keq apo për qëllime lufte.”.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Trump, Rutte dhe Erdogan flasin për Kosovën

Read Next

Interi mposht River Platen dhe kalon tutje në Kupën e Botës për Klube