Ka nisur takimi mes presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas përfundimit të takimit nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për media.
Pendarovski, do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takim ky që sipas Zyrës së Kryeministrit pritet të filloj në ora 12:00.
As nga ekzekutivi nuk është paralajmëruar ndonjë deklarim për media pas takimit.
Ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftim.
Po ashtu organet e rendit kanë kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik. /Albanianpost.com