Ngjarje tragjike në Gjakovë, humb jetën një person

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në Gjakovë.

Rasti ka ndodhur te “Ura e Moglicës”, në kryqëzimin e rrugëve “Bujar Roka” dhe “Ymer Pula”, ku sipas informacioneve fillestare, një person me inicialet S.R. kishte rënë në ujë.

Reagimi i shpejtë i zjarrfikësve bëri të mundur nxjerrjen nga uji, ndërsa në vendin e ngjarjes intervenuan edhe ekipet emergjente që e transportuan për trajtim mjekësor.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për t’i ofruar ndihmën e nevojshme, gjendja shëndetësore e personit u përkeqësua. Policia ka bërë të ditur se rreth orës 21:30 është njoftuar nga spitali se viktima ka ndërruar jetë.

“Rreth orës 21:30, jemi njoftuar nga spitali se viktimës ju kishte keqësuar gjendja shëndetësore dhe ka ndërruar jetë.”, njoftoi Sheremet Elezaj, udhëheqës i zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun në DRP-Gjakovë.

Njoftimi i spitalit të përgjithshëm “Isa Grezda”:

“Më datë 21.03.2026, rreth orës 20:15, në Shërbimin e Emergjencës në Spital është sjellë nga ekipi i Urgjencës së Mjekësisë Familjare një paciente femër, me shenja jete, në gjendje të rëndë politraume dhe e pavetëdijshme.

Në momentin e pranimit, pacientja paraqitej në gjendje të rëndë të përgjithshme, me tension arterial 210/100 mmHg.

Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat emergjente sipas protokolleve në fuqi, përfshirë intubimin endotrakeal dhe fillimin e reanimimit kardiopulmonar (RKP).

Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit dhe reanimimit të vazhdueshëm, pacientja nuk ka reaguar ndaj terapisë dhe ka ndërruar jetë në orën 21:20.

Rreth orës 22:00, me asistencën e Policisë së Kosovës, është bërë identifikimi i pacientes.

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” shpreh keqardhje për këtë rast dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të së ndjerës.”, thuhet në njoftim.

Autoritetet përkatëse janë duke vazhduar hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje. /tvsyrivision/

Read Previous

Gjendje e tmerrshme në një nga rrugët e fshatit Novosellë e Epërme, shkak ndërhyjet në asfalt

Read Next

Parashikimi i motit për sot