Ngërçi parlamentar hyn në muajin e dytë

Për të 18-tën herë, dje në Kuvendin e Kosovë  ka dështuar konstituimi i përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.

Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ngërçi nisi qysh në seancën e parë kur u formua komisioni i përkohshëm për verifikim të mandateve, por raporti nuk kaloi pasi që deputetë të partive që kishin qenë në opozitë s’e votuan. Ata s’pajtoheshin me mënyrën e dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar që ishin zgjedhur deputetë. Ky raport nuk kaloi as në seancën e dytë, duke kaluar tek në seancën e tretë kur deputetët edhe bënë betimin dhe Albulena Haxhiu u propozua nga VV për kryeparlamentare.

Ajo nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare, as në këtë seancë dhe as në pesë tjerat që pasuan, e ku u propozua sërish nga partia e parë.

Një ngërç tjetër nisi në seancën pasuese, kur Lëvizja Vetëvendosje propozoi që votimi për kryeparlamentar të jetë i fshehtë. Ky propozim është bërë disa herë, deri në seancën e sotme – e gjashtëmbëdhjeta me radhë.

Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.

Në seancën e së shtunës, VV-ja madje propozoi që seancat të mbahen një herë në javë, e jo çdo 48 orë. Por, kjo u refuzua kategorikisht nga PDK e LDK duke thënë se kërkesa e VV-së është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parasheh që seanca të thirret brenda 48 orëve.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

Ndërkohë, javën e kaluar presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati një takim me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituuim të Kuvendit.  Në takimin e ftuar nga Osmani morën pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).

Po ashtu, Presidentja pati një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

Ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Liderët partiakë thanë nuk është gjetur rrugëdalje për ngërçin e krijuar tash e një muaj. Ndërkohë presidentja Osmani tha se “ekziston një disponim minimal”, për të cilin tha është e bindur se do të rritet me kalimin e kohës.

Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.

Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/

Read Previous

Dita Botërore e Metrologjisë

Read Next

Në Prishtinë dhe Gjakovë çmimi i bukës u shtrenjtua me marrëveshje