Ngadalësohet inflacioni në SHBA

Inflacioni vjetor në Shtetet e Bashkuara u ngadalësua vetëm pak në muajin janar, treguan sot të dhënat e qeverisë amerikane, duke sinjalizuar ndalimin e tendencës së një ngadalësimi të dukshëm të rritjes së çmimeve që nga vjeshta e vitit të kaluar.

Norma vjetore e inflacionit ra në 6.4 për qind në janar, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2021, tregojnë të dhënat e rregulluara sezonale nga Ministria e Punës.

Në dhjetor të vitit të kaluar ishte 6.5 për qind, në nëntor 7.1 për qind dhe në tetor 7.7 për qind. Ajo ishte në kulmin e saj në qershor të vitit të kaluar, kur arriti në 9.1 për qind, niveli më i lartë që nga nëntori 1981.

Inflacioni bazë, i cili nuk përfshin çmimet e ushqimeve dhe energjisë, u dobësua lehtë në janar në 5.6 për qind, niveli më i ulët që nga dhjetori 2021, sipas njoftimit të ministrisë. Në dhjetor ishte 5.7 për qind.

Në baza mujore, çmimet e rregulluara sezonale u rritën me 0.5 për qind në janar, pas një rritjeje prej 0.1 për qind në dhjetor, sipas të dhënave të rishikuara. Vlerësimi i parë për muajin dhjetor tregoi një rënie të çmimeve të konsumit në krahasim me muajin nëntor me 0.1 për qind.

Me përjashtim të energjisë dhe ushqimit, inflacioni mujor në janar ishte 0.4 për qind, si në muajin e kaluar, sipas tabelave të ministrisë. Në bazë mujore, çmimet e gazit u rritën më shumë, me 6.7 për qind, pothuajse dy herë më shumë se në dhjetor.

Pas saj vjen benzina, e cila u rrit me 2.4 për qind në krahasim me dhjetorin, kur ishte më e lirë me shtatë për qind. /Telegrafi/

Read Previous

Arabia Saudite përzgjidhet nikoqire e Kupës së Botës për Klube

Read Next

Emergjenca në QKUK e mbingarkuar, vetëm gjatë vitit të kaluar trajtoi mbi 92 mijë pacientë