Nga Guardiola te Simeone: Alvarez zbulon arsyet pas transferimit të bujshem në Spanjë

Kalimi nga Guardiola te Simeone ka ngjallur shumë interes dhe spekulime, por Julián Alvarez më në fund ka vendosur të zbulojë arsyet pas këtij transferimi të bujshëm në Spanjë. Me një karrierë premtuese në Manchester City, ku fitoi trofe dhe u udhëhoq nga një prej trajnerëve më të mëdhenj të futbollit, argjentinasi vendosi të ndryshojë drejtim dhe t’i bashkohet Atlético Madridit nën drejtimin e Diego Simeones. Çfarë e shtyu të ndërmerrte këtë hap të madh? Alvarez ndan me publikun motivet dhe pritshmëritë e tij për të ardhmen në La Liga.

Si zakonisht, i pari foli presidenti Enrique Cerezo: “Sot për mua është një nder të prezantoj përforcimin e fundit që ka ardhur. Megjithë moshën tuaj të re, ju keni një histori të lakmueshme: Kupa e Botës, ‘Copa América’, Champions League, Premier League… Fjala që përsëritet më shumë kur rishikoni karrierën tuaj është kampion, Urime dhe mirë se ke ardhur në klubin tonë.

Ky klub nuk do të kuptohej pa marrëdhënien që kemi me Argjentinën dhe numrin e madh të lojtarëve të mirë argjentinas që kanë kaluar këtu. Tani ti, Julian, bashkohu me Rodrigo De Paul, Nahuel Molina, Giuliano, Ángel Correa dhe trajnerin Diego Pablo Simeone. Nënshkrimi juaj, si çdo gjë e mirë në jetë, është ideuar prej kohësh. Muaj më parë ishte një ëndërr, tani është e vërtetë”.

Pas videos zyrtare me ditët e para të Julian si lojtar bardhekuq, vetë protagonisti u ngjit në skenë: “Së pari doja të falënderoja presidentin dhe të gjithë drejtuesit, stafin stërvitor dhe lojtarët që më pritën aq mirë. Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar. Ngrohtësinë e fansave e kam ndjerë që në momentin e parë përmes rrjeteve sociale dhe mesazheve.

Pyetja e parë e ngacmoi nëse do të jetë një “hajmali” për Atlético Madridin, sepse ishte i tillë për Messin dhe Guardiolën, të cilët deri në ardhjen e tij, të dy nuk ishin në gjendje të fitonin përkatësisht një Kupë Bote dhe një Ligë të Kampionëve: “Natyrisht, gjithkush ëndërron të fitojë trofe të mëdhenj në një garë, por nuk ndihem si superhero. As Botërori i Messit nuk ishte i tillë, siç thoni ju, ai është lojtari më i madh në histori. Ka merituar gjithçka”.

Edhe para ardhjes së tij, Julián ngjalli shumë pritshmëri tek tifozët bardhekuq, madje ata e ndoqën fluturimin e tij për në Madrid: “Që në momentin e parë njerëzit më treguan dashurinë, mbështetjen e tyre. Ndjekja e fluturimit më bën shumë të lumtur, dashuria është evidente dhe kjo më jep besim”.

Tani e pret një sezon emocionues, me projektin e madh që Atlético Madrid ka formuar së bashku me Sorloth, Le Normand dhe atë. Për sa iu përket objektivave, ai e bëri të qartë se dëshiron të japë versionin më të mirë si lojtar dhe të rritet, duke e pozicionuar Atletico Madridin në majë: “Kemi një grup lojtarësh të mëdhenj, po ecim hap pas hapi. Tashmë po mendojmë për ndeshjen e së hënës, e para e kampionatit të ri. Do të luftojmë për të gjithë titujt”.

Julián ka luajtur në pozicione të ndryshme sulmuese gjatë karrierës së tij, ndërsa tregon se ku ndihet më rehat: “Do të doja të luaja para së gjithash në çdo pozicion. Për sa kohë që jam në fushë dhe mund të ndihmoj skuadrën, do të jem i lumtur”.

Nga Manchester City tek Atlético Madrid: “Ndjeva se kisha nevojë për një ndryshim në karrierën time futbollistike, një sfidë të re. Atletico Madridi është një klub që më deshi fort, këtu ndihem më së miri”.

Ndryshoi Anglinë për Spanjën dhe Guardiolën për Simeonen: “Kam mësuar shumë në këto vite, por secili ka gjërat e veta. Janë dy nga trajnerët më të mirët në histori, unë mund të vazhdoj të mësoj”. /Telesport.al/

Read Previous

Çfarë dimë për ringjalljen e mpox në Afrikë?

Read Next

Joao Felix te Chelsea, Gallagher te Atletico Madridi – marrëveshja afër finalizimit