Nga e mërkura hapet afati për aplikim të bujqve për subvencione

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton se duke filluar nga dita e mërkurë do të hap aplikimin për subvencionimin e fermerëve.

Në një konferencë për medie, ministri Faton Peci ka thënë se janë në dispozicion 21 milionë euro për Programin për Pagesa Direkte.

“Kjo është java që po bëjmë shpalljen për përkrahjen e bujqve me anë të subvencioneve. Për Programin me Pagesa Direkte kemi në dispozicion 21 milionë euro, ku në total përkrahja gjatë këtij viti fiskal do të arrij shifrën mbi 50 milionë euro. I ftoj të gjithë fermerët që të aplikojnë që nga dita e mërkurë”, ka njoftuar Peci.

Ai tregon se janë duke punuar në hartimin e dy strategjive dhe 27 projektligjeve.

“Jemi duke punuar në hartimin e Strategjisë për Zhvillim Rural dhe asaj për Menaxhimin e Pyjeve. Jemi në proces të hartimit të 27 projektligjeve që janë në kuadër të afatit të Agjendës Legjislative të Qeverisë së Kosovës”, tregoi ai.

Peci është shprehur edhe për risitë e këtij programi, siç tha ai për të parandaluar keqpërdorimet.

“Në aspektin e grurit mbështetja do të jetë 50 përqind me anë të sipërfaqeve, ndërsa 50 përqind me anë të rendimetit. Sa i përket vreshtarëve, mbështetja do të jetë e përshkallëzuar, 1 mijë euro për hektarë për fermerët që kanë mbi 100 hektarë të kultivuar me rrush”, u shpreh Peci.

Në fund, sipas Pecit te bujqit do të shpërndahen aq mjete financiare sa janë në dispozicion.

“Do të shpërndajmë mjete te fermerët aq sa janë në dispozicion, pra nuk do të mbesim në obligime financiare”, përfundon ai.

/Telegrafi/

Read Previous

Mediumet zvicerane: “Policia e Kosovës “kap” një laborator që falsifikonte testet e COVID”

Read Next

Haradinaj: Policia e Kosovës, një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë