Nga e hëna leja e re e qarkullimit, Rama: Unifikon dokumentet në një të vetme

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar lejen e re të qarkullimit rrugor, e cila do të jetë në funksion që nga e hëna e ardhshme. Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë njoftoi se kjo unifikon përfundimisht dokumentet e mjetit në një të vetme dhe është sipas standardeve të BE-së. Sipas Ramës kjo nuk është e detyrueshme për ata që e kanë një leje aktuale.

“Kjo është leja e re e qarkullimit të mjetit, që prej të hënës do të jetë plotësisht në standardet e BE-së. Stop orvatjeve dhe me një pagesë ku kostot ulen me 40%, tashmë leja e re e qarkullimit unifikon përfundimisht dokumentet e mjetit në një të vetme. Leja e re NUK do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit”.

Më herët DPSHTRR informoi mbi avantazhet që sjell për qytetarët leja e re e qarkullimit të mjetit që unifikon të dhënat dhe eliminon certifikatën e pronësisë së mjetit..

“Sot paguhet 3,500 lekë për lejen aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit. Leja e re që unifikon dokumentet e mjetit në 1, do të kushtojë vetëm 2,100 lekë, -40%. Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale dhe nuk ka afat skadence. Leja e re përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj”, thuhet në një njoftim të DPSHTRR-së./A2news/

Read Previous

Karnavalet çelin sezonin turistik në Korçë (FOTO)

Read Next

I nxehti rikthen zjarret në Athinë, digjen shtëpi e makina