Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu, ka kërkuar nga diplomatët shqiptarë që të kenë në agjendën e tyre çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Këtë, Lutfiu e ka bërë në Konferencën e Ambasadorëve “Diplo 2024”, të mbajtur në Tiranë, nën patronazhin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, në një nga panelet me temën “Hapësira shqiptare në gjeopolitikën e rajonit”.
“Në fjalimin tim diplomatëve shqiptarë i kërkova që ta kenë në agjendën e tyre çështjen e shqiptarëve të Luginës, sepse sot shqiptarët e Luginës janë ndërgjegjja e kombit shqiptar”, shkroi Lutfiu në Facebook.
Shqipëria, bëri me dije kreu i KKSH-së, “do jetë shumë pranë nesh, do të vërtetohet edhe këtë vit me super lajme që po presim”.
Në këtë panel diskutimi – ndër të tjerë – ka qenë edhe kryediplomati shqiptar Hasani.
Ai ka theksuar se faktori shqiptar ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një shtyllë e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Këto vlera, sipas tij, do të bëhen edhe më të dukshme dhe të prekshme për të gjithë, “nëse bashkëpunojmë për të forcuar rolin dhe unitetin e këtij faktori”.
“Në panelin ‘Hapësira shqiptare në gjeopolitikën e rajonit’, në Konferencën e Ambasadorëve ‘Diplo 2024’ theksova parimet dhe prioritetet e qeverisë shqiptare dhe politikës sonë të jashtme, të cilat janë të përkushtuara ndaj bashkëpunimit me faktorin shqiptar në të gjitha vendet e rajonit”, shkroi Hasani në Facebook.
Një shembull konkret i këtyre përpjekjeve, ai tha se është krijimi i një drejtorie të re, “e cila do të fokusohet në politikat që kanë në qendër shqiptarët në rajon, me një vëmendje të veçantë ndaj bashkëkombësve kudo ku ata jetojnë”.
Ndryshe, shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga regjimi atje. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.
Një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që autoritetet serbe janë duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.
Së fundmi, shqiptarët në Serbi kanë organizuar edhe një protestë në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet.
Ndërsa, pas kësaj proteste janë shfaqur grafite raciste dhe nxitëse të urrejtës në gjuhën serbe si “vdekje shqiptarëve”, të cilat janë dënuar ashpër nga politikanët shqiptarë në Luginë. /Albanianpost.com