Nëna dhe binjakët e saj rikthejnë shikimin pasi u bombarduan nga forcat ruse, njëri prej tyre humbi syrin

Ishte mëngjesi i 11 marsit në rajonin lindor të Ukrainës të Dnipropetrovsk Oblast, kur një bombë goditi shtëpinë e Olena Selichzianowa dhe dy djemtë e saj binjakë.

“Shkova në kuzhinë dhe pashë një bombë që vinte drejt dritares sime. Ishte e gjitha kaq e shpejtë sa nuk e dija se çfarë po ndodhte. Thjesht e pashë atë duke fluturuar drejt meje”, tregon ajo.

Plagët në fytyrën e nënës, Olena Selichzianowa, pasi asaj iu rikthye shikimi

Duke folur në rusisht, nëna e djemve binjakë pesëvjeçarë, Nazar dhe Timur, përshkruan se si ra në gjunjë, duke mbërthyer djemtë e saj për t’i mbrojtur nga copëzat e bombës.

Pas goditjes së bombës, ajo nuk kujton asgjë, transmeton Klankosova.tv.

Të tre u verbuan nga copëzat fluturuese që i goditën trup dhe fytyra. Lëkura e tyre ishte djegur keq, një copë xhami e vogël u fut në njërin sy të Olenës dhe këmba e saj ishte thyer.

Familja u tërhoq nga rrënojat dhe u dërgua në një spital aty pranë, por plagët e tyre ishin aq të rënda sa duhej të zhvendoseshin shpejt.

Në Lviv, specialistja e syve, Dr Nataliya Preys, u njoftua për lëndimet e kësaj familjeje. Dr Preys i dërgoi imazhe të plagëve ish-mësuesit të saj në Poloni, profesor Robert Rejdak, në Universitetin Mjekësor të Lublinit.

Ai e dinte që të tre duhej të trajtoheshin menjëherë. Por luftimet në Ukrainë nënkuptonin se do të duhej një javë që Olena, Nazari dhe Timur të arrinin në Poloni.

“Ata kanë ardhur nga ferri. Mamaja ishte plotësisht e verbër, ajo mund të shtrinte dorën vetëm për të prekur fëmijët e saj. Fëmijët ishin aq të uritur dhe të lodhur kur mbërritën për herë të parë sa që vetëm hanin, flinin dhe qanin”, tha profesor Rejdak.

Ai është prekur dukshëm teksa rrëfen takimin e tyre të parë.

Më pas, ekspertiza e tij si kirurg kryesor në një nga spitalet më të mëdha të syve në Evropë i vihet në ndihmë familjes.

“Vendosëm të operonim nënën. Unë bëra një operacion dypalësh të kataraktit. Operacioni ishte vërtet i ndërlikuar për shkak të plagëve, për shkak të një copë xhami brenda njërit sy”, thotë doktori.

“Fatmirësisht operacioni shkoi vërtet në mënyrë perfekte dhe Olena sheh pothuajse plotësisht dy ditë pas. Procesi i shërimit është i përsosur kështu që shpresoj se do të jetë edhe më mirë – por të paktën tani ajo mund të shohë djemtë e saj dhe të shikojë përreth”.

Rrugëtimi i djemve të vegjël drejt shëndetit do të zgjasë më shumë. Njëri nga ta, Nazari, ka humbur syrin.

Profesor Rejdak kreu një operacion në retinë dhe tani po planifikon një operacion të mëtejshëm të kataraktit.

“Binjakët gjithashtu kanë trauma të mëdha të syrit”, thotë doktori.

“Ne shpresojmë që vizioni të jetë i mirë, por ata kanë nevojë për trajtim më të gjatë.”

Nëse Olena dhe djemtë e saj do të ishin vonuar më shumë për të arritur në Lublin, pasojat do të ishin të rënda.

“Ata do të ishin të verbër, sepse ishte momenti i fundit për të filluar trajtimin, tashmë kanë kaluar shtatë ditë nga aksidenti dhe në traumat okulare koha është vendimtare”.

Në repart, djemtë e vegjël po luajnë. Edhe pse është Nazari ai që ka humbur syrin, ai duket më mbrojtës ndaj vëllait të tij, Timurit, i cili është pak i turpshëm dhe më i tërhequr.

“Një psikolog po i ndihmon, duke u dhënë tableta që të flenë”, tha nëna e tyre, Olena.

“Ata po ndihen më mirë dhe kanë bërë shumë operacione. Por ata panë që bomba u ra mbi ta. Ata janë pak më të qetë, por janë të frikësuar dhe kanë vështirësi për të fjetur”.

Para luftës, Olena ishte kuzhiniere në shkollën lokale.

Ajo u pyet nga BBC nëse do të donte ajo të kthehej në Ukrianë pas shërimit.

Përgjigja e saj është e shpejtë: “Jo”.

“Të gjithë kanë qenë kaq të sjellshëm këtu, unë dua të qëndroj. Gjithashtu edhe shtëpia ime është shkatërruar, nuk ka mbetur asgjë”.

Profesor Rejdak është ndër ata që ndihmojnë për të gjetur një vend ku kjo familje të jetojë. Pasi Olena të jetë shëruar dhe vetëm kur të jetë gati, shpresa është që ajo të gjejë një punë.

Kjo nuk është e vetmja familje që ka nevojë për ndihmë. Profesor Rejdak po ofron konsultime virtuale me kolegët e tij në Ukrainë.

Nëse evakuimi nuk është i mundur, atëherë ai jep këshilla se si mjekët në Lviv duhet të vazhdojnë me trajtimin.

Ai beson me vendosmëri se mjekësia virtuale është çelësi për të ndihmuar viktimat e kësaj lufte. Furnizimet mjekësore dhe donacionet po dërgohen gjithashtu në Ukrainë nga një ekip njerëzish të mbledhur nga Universitetit Mjekësor i Lublinit.

Puna është e pafund, pasi nga luftimet plagosen gjithnjë e më shumë. Profesor Rejdak do të operojë sërish binjakët në ditët në vijim, por po përgatitet edhe për ardhjet e reja që do të vijnë në spital nga Ukraina.

/KlanKosova/

Read Previous

Kujt t’i besojmë se a ishte kryeministri Albin Kurti pjesë e UÇK-së?

Read Next

Policia: Krijohen pritje në disa pika kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë