Me 27 tetor procedurat e mbushjes së rezervuarit me naftë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Brekoc kanë përfunduar. Por pas 6 ditëve, që i bie me datë 1 nëntor në policinë e Kosovës është raportuar se rezervuari është bosh. Sipas Policisë qasje në këtë rezervuar kishin 6 persona. Mjeku i kësaj qendre, Musa Halilaj, ka thënë se përgjatë kohës që ka qenë duke u mbushur rezervuari ai ishte duke mjekuar personat të cilët kishin ardhur për të kërkuar ndihmë mjekësore në këtë qendër.
Ndërsa në bazë të fletdërgesës ne kemi kuptuar se po bëhet fjalë për 1000 litra naftë. Nga ana tjetër, Emin Hoxhaj, shef i sektorit të hetimeve ka thënë se rasti është duke u hetuar dhe akoma është herët që të kemi një konkluzion.
Rasti është cilësuar vepër penale “vjedhje”. Aktualisht po ndërmirren të gjitha hapat për zbardhjen e kësaj situate. Kështu ka pohuar Yllka Juniku-Shehu zëdhënëse në prokurorinë themelore në Gjakovë
Juniku Shehu më tej ka shtuar se njësitet kompetente do të bëjnë punën me përpikmëri me qëllim që të identifikohen kryesit e kësaj vepre penale.